Prezantimi i raportit të Projektit mbi metodologjitë e monitorimit të kthimit rajonal të pasurive, standardet kryesore dhe rastet studimore të praktikave të mira
Publikuar në: 10 Dhjetor 2020

Më 9 dhjetor 2020, Qendra AIRE në bashkëpunim me Iniciativën Rajonale të Kthimit të Pasurive (RAI) dhe me mbështetjen e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar organizuan prezantimin e raportit të tyre mbi zbatimin efektiv të masave të kthimit të pasurive në Ballkanin Perëndimor përmes një vështrimi të përgjithshëm të një metodologjie rajonale të monitorimit, standardeve kryesore dhe rasteve studimore të praktikave të mira.

Aktiviteti u ndoq nga profesionistë të kthimit të pasurive dhe përfaqësues të institucioneve gjyqësore nga e gjithë Evropa Juglindore. Folësit kryesorë në këtë aktivitet ishin profesori Eldan Mujanoviç i Universitetit të Sarajevës dhe gjyqtarja Radmila Dragiçeviç-Diçiq e Gjykatës së Lartë të Republikës së Serbisë, të cilët diskutuan elementet e raportit.

Raporti përfshinte një përmbledhje të metodologjisë rajonale të monitorimit, praktikave më të mira dhe hapave përpara, dhe prezantoi standardet më të rëndësishme që rrjedhin nga burimet ndërkombëtare, veçanërisht nga Bashkimi Evropian. Ai ofroi një listë standardesh dhe rekomandimesh, me synimin për t’u ofruar autoriteteve kombëtare udhëzime të dobishme dhe praktike për krijimin e një sistemi gjithëpërfshirës, të saktë dhe të besueshëm për mbledhjen, përpunimin dhe shpërndarjen e të dhënave të lidhura me kthimin e pasurive. Raporti gjithashtu përmbante histori suksesi të paraqitura në formën e rasteve studimore, duke mbuluar aspekte të ndryshme të kthimit të pasurive.

Aktiviteti u organizua nën kujdesin e projektit rajonal të Qendrës AIRE kushtuar forcimit të bashkëpunimit në praktikën rajonale të kthimit të pasurive për të ndihmuar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.