Ekspertët rajonal të kthimit të pasurisë mblidhen në Prishtinë
Publikuar në: 1 Mars 2022
S’u gjetëm përkthime të gatshme

Ekspertët rajonal të konfiskimit dhe administrimit të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme pajtohen se bashkëpunimi është parakusht për luftimin efikas të krimit të organizuar.

Ky ishte një nga përfundimet e seancës së sotme në Prishtinë, të organizuar nga Qendra AIRE dhe Nisma Rajonale Kundër Korrupsionit. Në fokus të takimit ishte zhvillimi i një modeli për mbledhjen efikase të informacionit dhe statistikave në këtë fushë.

Projekti, i mbështetur nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, mbulon gjashtë juridiksione në Ballkanin Perëndimor, përkatësisht: Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.

“Jam e lumtur të punoj me qendrën AIRE dhe partnerët tanë Kosovar, ky eshtë një ndër projektet e Mbreterisë se Bashkuar për të mbështetur me efikase nga qeveritë dhe institucionet relevante ne Ballkanin Perendimor që të zvoglon efektin dhe redukton ambientin që mundëson krimin e organizuar dhe korrupsionin. E dij nga fushat e tjera te punes sime perkushtimin e partnerve Kosovar dhe dua t’i falenderoj per bashkepunimin e vazhduar”, tha Jennifer Blakeney, udhëheqësja e sektorit të Sundimit të Ligjit dhe Sigurisënë Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.

Ganimete Ismajli, Koordinatore Kombëtare e Projektit të Kthimit së Pasurive e Qendrës AIRE, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal lidhur me shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira.

“Statistikat transparente sigurojnë shkëmbim më të lehtë të informacionit në rajon dhe i bëjnë të mundur publikut të analizojë në mënyrë të përshtatshme rezultatet e punës në këtë fushë. Së fundi, ato krijojnë një kornizë për vlerësimin se sa efektive është lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Vetëm ‘numrat’ e saktë mund të sigurojnë besimin e publikut dhe të krijojnë një kornizë për sigurimin e përfitimeve sociale nga konfiskimi i pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme”, tha Ismajli.

Fadil Bunjaku, Drejtor i Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar foli për përvojën e përpjekjeve institucionale.

“Ne dëshirojmë të falenderojmë Qendrën AIRE, të mbështetur nga Mbretëria e Bashkuar, për organizimin e kësaj punëtorie ku pjesëmarrës janë, ndër të tjerë, edhe agjencitë për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive nga Ballkani Perëndimor. Si përfaqësues i AASKP-së, unë e konsideroj këtë takim si me rëndësi të veçantë në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar për standardizimin e statistikave të sakta dhe gjithpërfshirëse për kthimin e pasurisë, për shkak se një ndër funksionet ligjore të Agjencisë është të mbajë regjistra të pasurisë që ajo administron dhe të çdo vendimi relevant gjykate. Objektivi i Agjencisë është që të ketë një sistem të integruar të statistikave të përbashkëta me institucionet e zbatimit të ligjit në Kosovë, të tilla si Policia e Kosovës, Prokuroritë dhe Gjykatat e Kosovës. Unë besoj se ky takim, së bashku me mbështetjen e vazhdueshme të këtij projekti, do të kontribuojnë për këtë objektiv”, tha Bunjaku.

Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve gjyqësore dhe të ministrive të drejtësisë nga i gjithë rajoni.

“Prezenca e krimit të organizuar dhe korrupsionit privon të drejtën e përdorimit të pasurisë nga shoqëria në përgjithësi. Lufta ndaj këtyre dukurive nuk njeh kufij sepse i tejkalon kufijtë e atij vendi. Akoma më shumë, këto dukuri shkelin në thelb të drejtat e njeriut dhe qytetarit. Kësisoj, lufta ndaj këtyre dukurive përbashkon shtete, akademi shkencash, institucionesh, media investigative, shoqëri civile dhe institucione tjera relevante duke prodhuar ide, modele të shoqëruara me veprime në kuptim të eliminimit të kësaj dukurie shqetësuese dhe dëmtuese për shoqëritë. Për të goditur krimin e organizuar dhe korrupsionin, duhet veprime të ndërlidhura dhe të koordinuara mirë në mes institucioneve. Ndërsa për t’i dhënë goditje përfundimtare krimit të organizuar dhe korrupsionit, duhet të ndërmerren veprime institucionale përmes konfiskimit të pasurisë së personave, të cilët kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik, si rezultat i veprimtarisë së dyshuar kriminale. Ndaj, bashkimi ndaj një lufte të tillë është sinonm i fitores për shoqërinë në përgjithësi, sikurse që është sinonim i humbjes për ata persona që merren me këto veprimtari”, tha Zëvendësministrit i Drejtësisë Blerim Sallahu.

Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të përfshira në mbledhjen, përpunimin, ruajtjen dhe shkëmbimin e informacionit për konfiskimin e pasurisë.

“Megjithëse statistikat mund të duken teknike, ato japin indikacione për performancën e sistemit të drejtësisë në një vend të caktuar, prandaj është edhe më e rëndësishme gjetja e një modeli më të mirë dhe më efikas për mbledhjen e statistikave. Sot, ky forum bëri të mundur dëgjimin e pikëpamjeve të ndryshme nga të cilat mund të përfitojmë në të ardhmen”, shtoi Prokurori i Shtetit Shqipdon Fazliu.

Në muajin mars janë planifikuar edhe takime të tjera të ekspertëve të rajonit në Tiranë dhe Podgoricë. Organizatorët theksuan se seancat informuese, shkëmbimi i vazhdueshëm i informacionit mbi qasjet e reja lidhur me çështjen e administrimit të pasurisë dhe mbështetja e gjyqësorit përbëjnë themelin e një lufte të suksesshme kundër krimit të organizuar. “Nuk mund ta bëjmë këtë punë të vetëm, rajoni duhet të bashkëpunojë”, e përfundoi fjalën e saj koordinatorja Ismajli.

Burimi: https://www.rtklive.com/sq/news-single.php?ID=598057&fbclid=IwAR1ur5C12xyaJaay-PGmdxRm9IKujOOS2wPnuwwsGHmXtDLKdxv4lk4bCAw