Rikuperimi efektiv i aseteve, Kraja pjesë e konferencës rajonale në Mal të Zi
Publikuar në: 14 Tetor 2022
S’u gjetëm përkthime të gatshme

TIRANË, 14 tetor /ATSH/ Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme të Republikës së Shqipërisë, Arben Kraja, mori pjesë sot në konferencën e dytë rajonale me tematikë “Rikuperim Efektiv i Aseteve në Përputhje me Standardet Evropiane” mbajtur në Podgoricë, Mal i Zi, organizuar nga Qendra Advice on Individual Rights in Europe – AIRE, në bashkëpunim me Sekretariatin Regional Anti-Corruption Inittiative – RAI dhe Ministrinë e Drejtësisë së Malit të Zi.

Pjesëmarrja e përzgjedhur në këtë Konferencë me rëndësi për rajonin përbëhej nga funksionarë të lartë dhe ekspertë të rajonit por edhe më gjerë si: Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazovic; zv/shefi i misionit të Ambasadës britanike, Steve Arrick; drejtori i Programit të Ballkanit Perëndimor të qendrës AIRE, Biljana Braithwaite; drejtuesi i Sekretariatit RAI, Desislava Gotskova; ministri i Drejtësisë të Malit të Zi, Marko Adzic; ministri i Brendshëm i Malit të Zi, Filip Adzic, Prokurori Europian EPPO, Jaka Brezigar; Prokuror Shteti në Veprim Suprem i Malit të Zi, Maja Jovanovic; kryeprokurori i Posaçëm i Malit të Zi, Vladimir Novovic; prokurori i Drejtorisë Kombëtare të Antimafias dhe Antiterrorizmit në Itali, Michele del Prete; zëvendësdrejtori i Zyrës për Luftën ndaj Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Kroacisë, USKOK, Marija Vucko; prokurori Publik i Prokurorisë së Lartë Publike të Serbisë, Miljko Radisavljevic.

Qëllimi i këtij projekti është të inkurajojë bashkëpunimin rajonal përmes krijimit të një rrjeti rajonal të profesionistëve të rikuperimit të aseteve që mbështesin negociatat midis juridiksioneve për marrëveshje gjithëpërfshirëse dypalëshe dhe shumëpalëshe për ndarjen e aseteve dhe kapacitetet e vazhdueshme.

Drejtuesi i SPAK Kraja prezantoi eksperiencën dhe rezultatet e punës së autoriteteve ligjzbatuese në Shqipëri në fushën e identifikimit, sekuestrimit dhe konfiskimit të aseteve kriminale, si dhe vënien në dispozicion të këtyre pasurive për rritjen e kapaciteteve të punës së institucioneve ligjzbatuese.

Kraja zhvilloi takime pune me pjesëmarrës homologë të vendeve të rajonit me qëllim forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe korrupsionit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Në momentet e sfidave më të mëdha për dialogun rajonal, komunikimi brenda gjyqësorit vazhdoi të ishte i pranishëm. Në kohën e pengesave më të vështira për të siguruar pavarësinë, transparencën dhe përgjegjësinë e bartësve të pozicioneve më të përgjegjshme, në gjyqësor kemi gjetur gjithmonë njerëz të gatshëm për të vazhduar misionin e tyre, sepse të gjithë janë të vetëdijshëm për faktin se besimi te sistemi gjyqësor mund të ndërtohet vetëm mbi bazën e veprimit të pavarur dhe të paanshëm të çdo prokurori dhe gjyqtari individualisht”, tha Biljana Braithwaite, drejtore e Qendrës AIRE.

Braithwaite nënvizoi se e ardhmja e luftës kundër kriminalitetit varet nga bashkëpunimi dhe dialogu rajonal i sjellë sot në Podgoricë. Desislava Gotskova, drejtore e Iniciativës Rajonale Kundër Korrupsionit, shtoi rëndësinë e transferimit të njohurive dhe shkëmbimit të praktikave të mira.

“Si organizatë ndërqeveritare rajonale me një mandat të qartë kundër korrupsionit, RAI ka përvojë të gjatë në mbështetjen e kthimit të pronave në EJL. Forcimi i kapaciteteve të autoriteteve kombëtare dhe rritja e bashkëpunimit rajonal në fushën e kthimit të pasurive është një nga objektivat kryesore të RAI-t. Një përfitim kryesor i RAI është baza e saj e anëtarësimit, e cila është një kombinim i vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kjo lejon shkëmbimin e drejtpërdrejtë të njohurive mbi legjislacionin, politikat dhe praktikën ndërmjet prokurorëve dhe gjyqtarëve nga të dyja palët. Së bashku ne mund të bëjmë shumë më tepër”, tha Gotskova.

Burimi: http://ata.gov.al/2022/10/14/rikuperimi-efektiv-i-aseteve-kraja-pjese-e-konferences-rajonale-ne-mal-te-zi/