Mandija: organizimi dhe funksionimi efektiv i SPAK-ut në Shqipëri mund të shërbejë si një model për vendet e tjera të rajonit
Publikuar në: 22 Shtator 2022
|EN|

Ledina Mandija është koordinatorja kombëtare për Shqipërinë e projektit rajonal për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor përmes forcimit të bashkëpunimit rajonal për kthimin e pasurive. Mbështetur nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe zbatuar nga Qendra AIRE dhe Iniciativa Rajonale Kundër Korrupsionit, ky projekt promovon një bashkëpunim më të madh rajonal për konfiskimin dhe kthimin e pasurive. Hapat e fundit të ndërmarra në kuadër të projektit ishin krijimi i Rrjetit Rajonal të Ekspertëve të Kthimit të Pasurive dhe platformës në internet për shkëmbimin e informacionit në këtë fushë. Koordinatorja Mandija vë në dukje shumë zhvillime pozitive lidhur me aksesin ndaj kthimit të pasurive në Shqipëri.

“Shqipëria ka tani SPAK-un (Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar), Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit, të cilat u krijuan si pjesë e një strukture të veçantë për hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e çështjeve të korrupsionit dhe krimit të organizuar, si rezultat i paketës së reformës kushtetuese në vitin 2016, por zbatimi erdhi më vonë. Aktualisht, në Shqipëri ekziston një kuadër ligjor i plotë për një hetim të plotë financiar funksional, ndjekjen penale dhe gjykimin për rastet e korrupsionit dhe të krimit të organizuar. Prokuroria e Posaçme ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson akuzën në emër të shtetit para Gjykatave të posaçme, duke i kryer funksionet e saj në mënyrë të pavarur, përmes prokurorëve të posaçëm, të cilët emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. BKH-ja (Byroja Kombëtare e Hetimit) është një njësi e specializuar e policisë gjyqësore që heton veprat penale të kryera nga zyrtarë qeveritarë dhe të tjerë që dyshohen që janë përfshirë në vepra penale në lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin, nën juridiksionin e Prokurorisë së Posaçme sipas Ligjit për SPAK-un të vitit 2016 (Ligji për Organizimin dhe Funksionimin e Institucioneve për të luftuar Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar). Prokuria e Posaçme dhe BKH-ja kanë ekspertizë, por gjeneron edhe bashkëpunim institucional. Është shumë e rëndësishme që institucionet tona të punojnë për gjenerimin e statistikave efektive dhe të ofrojnë mundësi për trajnim të kapaciteve që punojnë në këtë fushë, si dhe bashkëpunim, shkëmbim informacioni dhe të eksperiencave për kthimin e pasurive. Vetëm kjo qasje mund të sigurojë efekte afatgjata në këtë fushë”, nënvizon Mandija.

Falë mbështetjes së qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe përpjekjeve të këtij projekti, në Tiranë u organizua konferenca rajonale e ekspertëve të kthimit të pasurive në mars të këtij viti, e cila çoi në krijimin e një rrjeti që do të përqendrohet te shkëmbimi më efikas i informacionit dhe praktikave në Ballkanin Perëndimor.

“Ne kemi zhvilluar kontakte të forta dhe Qendra AIRE tani lidh institucionet dhe i inkurajon profesionistët të bashkëpunojnë në funksion të kthimit të pasurive në zbatim të ligjit antimafia. Shqipëria duhet të vazhdojë të forcojë dialogun me fqinjët tanë, pasi kjo është e vetmja mënyrë për të luftuar me sukses korrupsionin dhe krimin e organizuar”, thekson Mandija.

Legjislacioni për kthimin e pasurive në Shqipëri është i rregulluar nga ligji i posacëm antimafia si dhe Kodi Penal dhe Kodi i Procedurës Penale, të cilët trajtojnë konfiskimin e zakonshëm, duke mbuluar shkeljet me lidhje të forta midis veprave penale dhe produkteve të krimit. Konfiskimi i zgjeruar, një masë kyçe për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, trajtohet nga ligji antimafia, i cili është ligj lex specialis.

“Qëllimi i ligjit antimafia, i cili zbatohet dhe për konfiskimin e zgjeruar, është përcaktuar shprehimisht në nenin 2 të tij dhe përfshin parandalimin dhe luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet konfiskimit të pasurisë së personave që kanë një status të pajustifikuar ekonomik që rrjedh nga aktivitete të dyshuara si kriminale. Dy kriteret kryesore për këtë janë statusi i pajustifikuar ekonomik dhe pjesëmarrja në veprimtari kriminale. Ligji ofron një bazë për konfiskimin e pasurive të veçanta, vlera e të cilave është haptazi jo në përpjestim me të ardhurat e personit nga burimet e ligjshme; por edhe konfiskim të çdo pasurie tjetër (monetare, të luajtshme dhe të paluajtshme) përveç atyre që i nënshtrohen konfiskimit, në kushtet që këto të fundit janë tjetërsuar, shpërbërë, transferuar, fshehur apo zhvendosur”, shton Mandija.

Me përvojën e saj të përfaqësimit të Shqipërisë në arbitrazhe ndërkombëtare dhe në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, koordinatorja Mandija nënvizon rëndësinë e mbrojtjes të standartit të të drejtave të njeriut në procedurat e zbatimit të ligjit antimafia në të gjitha hapat e procesit nga hetimi, gjykimi dhe kthimi i pasurive apo administrimi i tyrë, në mënyrë që të sigurohemi që të kemi kemi rezultate që janë në interes të publikut.

“Ne duhet të përmirësojmë punën dhe bashkëpunimin e institucioneve nga fillimi deri në fund, në mënyrë që të kemi vendime të formës së prerë që në fakt përfundojnë me konfiskim të përhershëm dhe përfundimtar të pasurisë. Po flasim me ekspertë nga Shqipëria dhe presim me padurim çështje specifike që mund të përdoren si shembuj për trajnimin fillestar dhe vazhdues të magjistratëve dhe ekspertëve të tjerë në këtë fushë. Ne e shohim progresin e bërë falë zbatimit të masave të nevojshme për funksionimin operacional të SPAK-ut dhe pritet që zbatimi i legjislacionit të bëhet edhe më i fortë në të ardhmen. Gjithashtu, Shqipëria është përqendruar te ndërtimi i ekspertizës për hetimet financiare. Institucionet tona kanë akses në fonde të ndryshme për trajnim dhe specializim. Është e rëndësishme që organizata të tilla si Qendra AIRE dhe RAI t’i njohin këto hapa ndërsa ecin përpara dhe të inkurajojnë Ballkanin Perëndimor për reforma të mëtejshme në funksion të interesit publik dhe forcimit të shtetit ligjor në Shqipëri”, thekson Mandija.

Rrjeti Rajonal i Ekspertëve të Kthimit të Pasurive do të përfshijë gjyqtarë, prokurorë dhe ekspertë ligjorë nga Shqipëria.

“Vetëm bashkëpunimi i plotë rajonal mund të sigurojë luftë efektive kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ne mund të punojmë së bashku për të përmirësuar qasjen ndaj hetimit financiar, krijimit të sisitemit bashkëkohor dhe efiçient të të dhënave si dhe të metodologjive të mbledhjes, mbajtjes dhe qarkullimit sa më të mirë të të dhënave. Kjo mund të bëhet edhe nëpërmjet përpjekjeve të koordinuara ndërmjet institucioneve të Shqipërisë dhe institucioneve të rajonit. Kjo është e rëndësishme për të bashkëpunuar dhe për ta bërë më të vështirë largimin e pasurive dhe kriminelëve nga vendi dhe transferimin e pasurive. Të gjitha vendet e rajonit ndajnë të njëjtat probleme, të njëjtat çështje dhe sfida. Kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë për Rrjetin e Kthimit të Pasurive, për të shkëmbyer informacion, për të gjetur praktikat më të mira dhe për të bashkëpunuar”, përfundon Mandija.