Mbi 100 gjyqtarë, prokurorë dhe ekspertë të tjerë nga Ballkani Perëndimor marrin pjesë në konferencën për kthimin e pasurive të fituara në mënyrë të paligjshme
Publikuar në: 15 Mars 2023

Sarajevë, 15 mars, 2023 ― Mbi 100 gjyqtarë, prokurorë, profesorë dhe ekspertë të tjerë të së drejtës nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Kroacia dhe Italia u mblodhën sot në Sarajevë për të marrë pjesë në konferencën “Kthimi efektiv i pasurive në Ballkanin Perëndimor” organizuar nga Qendra AIRE dhe Iniciativa Rajonale Kundër Korrupsionit, me mbështetjen e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar. Korrupsioni dhe krimi i organizuar vazhdojnë të jenë një nga sfidat më të përhapura dhe më të papajtueshme për shtetin e së drejtës në Ballkanin Perëndimor dhe kthimi i pasurive, si pjesë e procesit penal, është një nga mjetet më efektive për të luftuar këto krime.

“E kemi për nder të mbledhim një numër kaq të madh ekspertësh nga gjykatat, prokuroritë dhe institucione të tjera, puna e të cilëve kontribuon për kthimin efektiv të pasurive. Vit pas viti, këto takime tregojnë se sa shumë mund të bëjmë së bashku, pasi ato janë një mundësi për planifikimin e hapave të përbashkët dhe bashkëpunimit rajonal për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ballkani Perëndimor ka bërë përparim të madh në legjislacionin për kthimin e pasurive, por ne vazhdojmë të shohim probleme të konsiderueshme kur bëhet fjalë për zbatimin e këtij legjislacioni. Kthimi i pasurive është pjesë e agjendës së politikave në të gjitha juridiksionet në rajon. Megjithatë, kthimi i pasurive përfshihet si një aspekt në shumë strategji, duke mos i dhënë atij një vëmendje konkrete. Përveç kësaj, është e nevojshme të vazhdohet të përmirësohen kapacitetet e organeve të zbatimit të ligjit dhe të prokurorëve që kryejnë hetimet financiare, pasi aktualisht po përballemi me problemin e mungesës së kapaciteteve dhe aftësive, jo vetëm brenda njësive të specializuara, por në të gjithë agjencitë hetimore dhe ato të prokurorisë”, tha Nevena Kostić, menaxhere e projektit të Qendrës AIRE.

“Megjithatë, vendet e rajonit kanë treguar gatishmëri për t’u marrë me këto probleme dhe disa suksese i kanë bërë ato dukshëm të dallueshme nga shumë rajone të tjera në botë. Për shembull, ka një njohje të qartë në nivelin politik në të gjitha vendet e Ballkani Perëndimor të nevojës për të përcaktuar zyrtarisht një zyrë kombëtare për kthimin e pasurive dhe juridiksionet e ndryshme e kanë këtë në qendër të vëmendjes së tyre, megjithëse janë në faza të ndryshme të procesit. Përveç kësaj, ripërdorimi social i pasurive të konfiskuara njihet si qasje pozitive brenda rajonit dhe Shqipëria dhe Serbia tashmë kanë treguar se si kjo mund të zbatohet në praktikë”, ka shtuar Kostić.

Masat e posaçme hetimore dhe hetimet financiare, ripërdorimi social i pasurive të konfiskuara dhe kripto pasurive janë vetëm disa nga temat që profesionistët e së drejtës do të kenë mundësinë të diskutojnë në këtë konferencë.

“Pjesëmarrësit do të mësojnë për zhvillimet më të fundit në fushën e kthimit të pasurive në Ballkanin Perëndimor, për jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut lidhur me pasuritë e fituara përmes krimeve, për ripërdorimin social të pasurive të konfiskuara dhe kripto pasurive. Si projekti ashtu edhe rrjeti i alumnive janë një shembull kryesor i bashkëpunimit rajonal në mënyrën më të mirë të tij dhe Iniciativa Rajonale Kundër Korrupsionit do të vazhdojë të mbështesë profesionistët e së drejtës në Evropën Juglindore në përpjekjet e tyre për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha Desislava Gotskova, drejtuese e Sekretariatit Rajonal të Iniciativës Kundër Korrupsionit.

Ky aktivitet ofroi gjithashtu një mundësi për të prezantuar kërkimet më të fundit mbi praktikat e mira në lidhje me kthimin efektiv të pasurive. Studimi “Ripërdorimi social i pasurive të konfiskuara” analizon këtë praktikë në rritje dhe nxjerr në pah disa nga përfitimet e ripërdorimit social si një mjet për përdorimin e pasurive si për viktimat e krimit të rëndë dhe të organizuar, ashtu edhe për shoqërinë në përgjithësi. Për më tepër, botimi “Masat e posaçme hetimore si pjesë përbërëse e hetimeve financiare të veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar” jep një pasqyrë të akteve të veçanta hetimore, klasifikimit dhe standardeve të tyre, si dhe tregon mundësitë dhe rëndësinë e këtyre llojeve të teknikave hetimore për kryerjen e hetimeve financiare.

Qendra AIRE dhe Iniciativa Rajonale Kundër Korrupsionit, me mbështetjen e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, mbledhin çdo vit ekspertët kryesorë të kthimit të pasurive në rajon për të inkurajuar komunikimin, dialogun dhe bashkëpunimin e tyre dhe për të kontribuar për zbatimin e qëndrueshëm të standardeve përkatëse ndërkombëtare.

Në vitin 2020, këto organizata krijuan një rrjet rajonal të profesionistëve të së drejtës për të lehtësuar komunikimin e tyre dhe shkëmbimin e praktikave të mira, për të paraqitur kërkimet dhe gjetjet më të fundit në lidhje me kthimin e pasurive në Ballkanin Perëndimor dhe për të nxitur ide dhe iniciativa për të forcuar shtetin e së drejtës dhe për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.

“Krimi i organizuar dhe korrupsioni janë pengesat kryesore për zhvillimin dhe shtetin e së drejtës. Sekuestrimi i pasurive të kriminelëve është pjesë jetike e minimit të modelit të biznesit të përdorur nga kriminelët dhe politikanët e korruptuar. Ne duhet të ndajmë njohuritë, aftësitë dhe ekspertizën për t’i vënë kriminelët para drejtësisë dhe për t’i goditur ata ku i dhemb më shumë – te pasuritë e tyre. Shumë juridiksione kanë përditësuar Kodet Penale dhe Kodet e Procedurave Penale. Juridiksione të tjera janë duke i përditësuar ato. Shumica e juridiksioneve kanë krijuar gjithashtu legjislacion të veçantë për kthimin e pasurive bazuar në standardet ndërkombëtare. Këto janë hapa pozitivë dhe Britania e Madhe dhe anëtarët e tjerë të komunitetit ndërkombëtar do të bëjnë çmos për t’ju ndihmuar të përfundoni ndërtimin e arkitekturës së nevojshme të legjislacionit, procedurave dhe mjeteve”, tha Julian Reilly, ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Bosnjë dhe Hercegovinë.

“Konferenca vjetore e alumnive për kthimin efektiv të pasurive që zhvillohet sot dhe nesër ka mbledhur së bashku këta profesionistë të cilët janë të angazhuar në projekt për të ndarë ekspertizën dhe njohuritë e tyre. Aktiviteti i dedikohet nënvizimit të sukseseve tona të përbashkëta, reflektimit mbi tendencat e reja dhe diskutimit të nismave të ardhshme kundër korrupsionit. Konferenca mundëson vazhdimin e dialogut rajonal duke promovuar të mësuarit, shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira nga profesionistët e së drejtës nga rajoni i Evropës Juglindore”, shpjegoi Gotskova.

Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të BiH-së, Halil Lagumdžija, falënderoi organizatorët e konferencës për njohjen e rëndësisë së kthimit efektiv të pasurive dhe i informoi të pranishmit për aktivitetet e ndërmarra nga KLGJP-ja e BiH-së kur bëhet fjalë për këtë temë, të tilla si miratimi i modulit të posaçëm brenda Sistemit të Menaxhimit të Gjykatave, i cili do të regjistrojë dhe mbajë në mënyrë të përzgjedhur të dhëna statistikore për pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara dhe Udhëzimin për Kryeprokurorët lidhur me nxjerrjen e një udhëzimi detyrues që përcakton detyrimin e prokurorëve për të kryer një hetim financiar kur ata kryejnë një hetim për çështjet e korrupsionit, krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.

Jemi të vetëdijshëm se pritshmëritë e publikut janë të mëdha kur bëhet fjalë për punën e prokurorive dhe gjykatave. Lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe ekonomik është ende në epiqendër të vëmendjes së publikut të brendshëm dhe të komunitetit ndërkombëtar, i cili është partneri ynë që mbështet reformën gjyqësore në BiH”, tha Lagumdžija. Ai gjithashtu vuri në dukje rëndësinë e rishikimit të mënyrës aktuale të punës, përmirësimit të procedurave dhe përgjithësisht luftimit në mënyrë më të vendosur të këtij lloji krimi. “Pritshmëritë janë të mëdha, po ashtu edhe presioni mbi prokurorët që të përmirësojnë jo vetëm sasinë por edhe cilësinë e punës së tyre”, tha Lagumdžija.

Konferenca rajonale “Kthimi efektiv i pasurive në Ballkanin Perëndimor” organizohet si pjesë e projektit “Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor përmes forcimit të bashkëpunimit rajonal për kthimin e pasurive”, zbatuar nga Qendra AIRE dhe Iniciativa Rajonale Kundër Korrupsionit, RAI, me mbështetjen e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar. Për më shumë informacion, shihni Platformën për kthimin e pasurive.