Gjyqtarët dhe prokurorët shqiptarë përmirësojnë njohuritë për kthimin e pasurive
Publikuar në: 1 Mars 2023
|EN|

Më 27 dhe 28 shkurt, Qendra AIRE dhe Nisma Rajonale Kundër Korrupsionit, në bashkëpunim me Shkollën e Magjistraturës të Shqipërisë, zhvilluan në Tiranë një trajnim për gjyqtarët dhe prokurorët në Shqipëri mbi kthimin e pasurive dhe procesin e marrjes së pasurive të vëna në mënyrë të paligjshme nga kriminelët. Pjesëmarrësit patën mundësinë të mësojnë më shumë për kuadrin ligjor dhe praktikën legjislative në Shqipëri, standardet e të drejtave të njeriut, masat e kthimit të pasurive të përdorura nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut dhe sfidat në rastet e konfiskimit dhe kthimit të pasurive, si nga ekspertë vendas ashtu edhe nga ekspertët ndërkombëtarë.

Trajnimi u drejtua nga I Nderuari Gjyqtari Michael Hopmeier, i cili është gjyqtar në Gjykatën e Kurorës në Southwark, Londër dhe një nga dy gjyqtarët në ishullin Isle of Man. Gjyqtari Hopmeier foli para gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë për rëndësinë e konfiskimit të produkteve të veprës penale në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar dhe konfiskimit. Ai krahasoi legjislacionin shqiptar me legjislacionin e Mbretërisë së Bashkuar dhe atë të BE-së dhe ndonëse vuri në dukje dallimet në lidhje me ligjet dhe procedurat e sakta, theksoi se synimet janë të njëjta, përkatësisht mohimi i gëzimit të produkteve të krimit nga kriminelët ose pas vendimit të dënimit nga një gjykatë penale, ose në bazë të përdorimit të kthimit të pasurive jo me dënim gjykata. Gjykatësi Hopmeier iu referua gjithashtu sfidave të shumta në këtë fushë, duke përfshirë përdorimin e monedhave virtuale nga kriminelët dhe vështirësitë për identifikimin e pronarëve përfitues përfundimtarë në rastet kur kriminelët fshehin pasuritë e tyre duke përdorur kompanitë off-shore për pastrimin e produkteve të krimit. Gjithashtu, ai përmendi po ashtu edhe zhvillimet e fundit në Mbretërinë e Bashkuar dhe në BE (si dhe zhvillimet në SHBA dhe gjetkë), të cilat u kërkojnë kompanive të huaja që zotërojnë prona në MB dhe BE të regjistrojnë pronarët përfitues përfundimtarë të këtyre kompanive.

Përveç gjyqtarit Hompeier, u dhanë leksione edhe nga Ledina Mandia, avokate dhe pedagoge nga Tirana, Sandër Simoni, gjyqtar i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, Ledi Bianku, ish-gjyqtar në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe Profesor i Asociuar në Universitetin e Strasburgut, Enkeleda Millonai, prokurore në Prokurorinë Speciale dhe Ylli Pjeternikaj, prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë.

“Zbatimi i kuadrit ligjor në fuqi, të përqasur me instrumentet ndërkombëtare si dhe zbatimi i legjislacionit ndërkombëtar në fuqi në R.SH, është vendimtar për të realizuar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar përmes sekuestrimit dhe konfiskimit te pronave te krimit”, tha Ledina Mandia, avokate dhe lektore në Tiranë.

“Prokurorë, gjyqtarë në juridiksione të Prokurorisë Speciale, Gjykatës Speciale, si dhe të Prokurorive dhe Gjykatave të tjera morën pjesë aktive në një workshop interaktiv, duke diskutuar çështje të zbatimit të kuadrit ligjor në fuqi dhe problematikave në zbatimin e ligjit, me qëllim efektivitetin e ligjit penal dhe parandalues në Shqipëri në interes të mbrojtjes së rendit ligjor dhe të interesit publik, por nga ana tjetër edhe të garantimit te të drejtave te palëve në proces referuar ligjit te brendshëm dhe ndërkombëtar te detyrueshëm në Shqipëri, duke përfshirë KEDNJ-në dhe jurisprudencën e saj”, shpjegoi ajo.

“Konfiskimi pasuror parandalues sipas ligjit shqiptar është një instrument efikas në duart e prokurorëve e gjyqtarëve shqiptarë për zbatimin e parimit që askush nuk mund të përfitojë nga krimi e të ardhurat kriminale duhet të kalojnë për interes publik e duke e luftuar kriminalitetin në pikën e tij më të ndjeshme të përfitimit pasuror. Por gjyqtarët duhet të jenë të kujdesshëm në garantimin e pronës së ligjshme të qytetarëve, lirisë së veprimit ekonomik të tyre, dhënies së mundësive për përmbushjen e barrës së provës për pasuritë e ligjshme e mbrojtjen e interesave të të tretëve sipas standardeve ndërkombëtare. Kjo ka qenë një nga çështjet e diskutuara e të trajtuara me gjyqtarë e prokurorë anëtarë të rrjetit AIRE gjatë seminarit të datave 27 – 28 shkurt 2023”, tha Sandër Simoni, gjyqtar i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë.

“Tema që diskutuam sot është një çështje delikate, sepse ndjek dy qëllime të ligjshme: së pari represionin e personave të përfshirë në krim të organizuar dhe në korrupsion, duke ua konfirkuar fitimet e siguruara përmes krimit; së dyti, efektin parandalues, pasi dobësimi i fuqisë ekonomike të tyre, i bën më vulnerabël dhe më pak të ndikueshëm në drejtim të ndikimit ndaj forcave ligjzbatuese dhe mundësisë për të ndikuar në vendimmarrjet me qëllime kriminale”, tha Henrik Ligori, pedagog i Shkollës së Magjistraturës.

Shqipëria ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për sigurimin e kthimit efektiv të pasurive, temë e cila trajtohet nga ligji i posaçëm anti-mafia, si dhe Kodi Penal dhe Kodi i Procedurës Penale, të cilët kanë të bëjnë me konfiskimin e zakonshëm, duke mbuluar veprat me lidhje të forta midis veprave penale dhe produkteve të krimit. Konfiskimi i zgjeruar, një masë kyçe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, trajtohet nga ligji anti-mafia.

Megjithatë, mbetet ende shumë punë për t’u bërë. Pavarësisht se kthimi i pasurive është pjesë e agjendës së politikave, raporti i vitit 2019 i Transparency International konstatoi se sekuestrimi dhe konfiskimi i produkteve të krimit në çështjet që lidhen me korrupsionin nuk urdhërohen ose nuk kryhen sistematikisht në Shqipëri. Për më tepër, Raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2019 nënvizon se Shqipëria duhet të bëjë progres të mëtejshëm drejt krijimit të një historiku të konsoliduar të sekuestrimeve dhe konfiskimeve të produkteve të krimit që rrjedhin nga aktivitetet kriminale të lidhura me korrupsionin dhe krimin e organizuar, të rrisë më tej përdorimin e hetimeve financiare, të përfundojë procedurat për ngritjen e organeve të specializuara kundër korrupsionit për trajtimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë dhe të sigurojë burimet dhe bashkëpunimin e nevojshëm ndërmjet këtyre strukturave të reja, si dhe të vazhdojë përmirësimin e aksesit në të dhënat elektronike kombëtare për autoritetet ligjzbatuese.

Për rrjedhojë, është thelbësore që të përmirësohet puna dhe bashkëpunimi i institucioneve në Shqipëri në çdo hap të këtij procesi, për të pasur vendime përfundimtare që në fakt përfundojnë me konfiskim të përhershëm dhe përfundimtar të pasurisë, gjë që mund të sigurojë më pas luftën efektive kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Trajnimi “Kthimi efektiv i pasurive: perspektiva gjyqësore” u organizua si pjesë e projektit “Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor përmes forcimit të bashkëpunimit rajonal për kthimin e pasurive”, zbatuar nga Qendra AIRE dhe Iniciativa Rajonale Kundër Korrupsionit, RAI, dhe mbështetur nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar. Shihni më shumë rreth Platformës së Kthimit të Pasurisë.